Instituti i Sociologjisë, Kërkimeve Demografike dhe Inovacionit (ISDI), në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Sociologjisë (AIS) dhe rreth 30 institucione partnere vendore e ndërkombëtare, organizoi Konferencën e 21-të Shkencore Ndërkombëtare Ndërdisiplinore me temën “Drejt një Shoqërie Inteligjente: Sfida dhe Mundësi”, e cila u mbajt në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë. Konferenca mblodhi studiues, akademikë, hulumtues, profesionistë dhe studentë nga shumë vende të botës, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve, përvojave dhe rezultateve shkencore në fusha të ndryshme sociale dhe humane. Gjatë dy ditëve të konferencës u realizuan mbi 230 prezantime shkencore, me pjesëmarrjen fizike dhe online të më shumë se 330 autorëve, bashkautorëve dhe kontribuesve nga 27 vende të botës. Programi i konferencës ishte i pasur dhe përfshiu 16 sesione tematike dhe sesione speciale, si dhe diskutime akademike ndërdisiplinore. Punimet e konferencës u përshëndetën nga Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku; Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Prof. Dr. Tonin Gjuraj; Dr. Jola Kepi, Drejtore Ekzekutive e Institutit të Lidershipit Shkollor; z. Jacques Marion, Kryetar i Federatës Universale të Paqes për Evropën dhe Lindjen e Mesme nga Franca; Prof. Dr. Robert Çitozi, në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; znj. Jonida Lamaj,përfaqësuese e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, e cila prezantoi angazhimet e institucionit në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës; si dhe Prorektorja Alma Shehu nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë. Në përmbyllje, pjesëmarrësit, prezantuesit dhe institucionet partnere u përshëndetën nga Prof.assoc. dr. Besim Gollopeni, në cilësinë e koordinatorit të institucioneve partnere dhe organizatore të konferencës. Në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë e veçantë që ka tema e konferencës në kontekstin e zhvillimeve bashkëkohore shoqërore, duke vënë në pah rolin e konferencës në shkëmbimin e përvojave dhe ideve, krijimin e bashkëpunimeve akademike, promovimin e risive, si dhe mbështetjen e politikave dhe praktikave më të mira që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien shoqërore dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Po ashtu, punimet e konferencës u përshëndetën edhe nga Prof. dr. Lekë Sokoli, në cilësinë e koordinatorit të institucioneve partnere dhe organizatore të konferencës (AIS), i cili nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit akademik dhe rolin që kjo konferencë ka në avancimin e shkencës dhe dialogut akademik ndërkombëtar. Në përfundim të sesionit plenar të konferencës u ndanë edhe çmime të veçanta. Çmimi për Ekselencë iu dha studentëve të Universiteti “Luigj Gurakuqi”. Ndërkaq, nga Federata Universale e Paqes, me çmimin “Ambasador i Paqes” u nderuan Jola Kepi, Jonida Lamaj dhe Profesor Ferdi Kamberi, për kontributin e tyre në promovimin e dijes, dialogut dhe vlerave të paqes në shoqëri.
Krejt në fund, nga organizatorët e kësaj konference u paralajmërua edhe organizimi i Konferencës së 22-të Shkencore Ndërkombëtare, e cila do të mbahet vitin e ardhshëm në Tiranë, Shqipëri.
URL i Procedinga:
https://www.sociology.al/sites/default/files/21st%20International%20Interdisciplinary%20Conference%20Proceedings%20UFA%20Gjakove%202026.pdf